Deputeti i LDK

Zemaj në Harilaq, i bën thirrje qeverisë që mos ta ndërtojë deponinë e matrialeve të rrezikshme

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka qëndruar sot në fshatin Harilaq të Fushë Kosovës, aty ku qeveria ka vendosur ta ndërtojë një deponi të materialeve të rrezikshme.

Ky vendim është kundërshtuar ashpër nga banorët e fshatit Harilaq dhe fshtarave përreth.

“Sot, së bashku me Mentor Zogianin, njëherit njëri ndër banorët protestues të fshatit Harilaq të Fushë-Kosovës, vizituam pjesën ku ditë më parë Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për vendosjen e deponisë së materialeve të rrezikshme në një zonë, e cila nuk është larg pjesëve të banuara. Afërsia e saj ka ngritur shqetësime për këta qytetarë, jo vetëm për arsye të anashkalimit të tyre, por edhe duke mos i njoftuar fare se çka do të vendoset aty, çka nënkupton ‘materiale të rrezikshme’, sa është siguria për ta, si menagjohet ajo dhe cili është rreziku të cilit i nënshtrohen ata. Këto fakte bëhen edhe më shqetësuese atëherë kur as Komuna e Fushë-Kosovës, sipas banorëve nuk është pyetur, si dhe qytetarët nuk janë konsultuar fare si institucion lokal, i cili është përgjegjës për atë pjesë”, ka thënë Zemaj.

Ai e ka ftuar Qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që të rishikojnë këtë vendim në harmoni me kërkesat dhe kushtet e banimit të qytetarëve të fshatit Harilaq të Fushë-Kosovës, ku po ashtu kjo deponi prek shumë afër edhe pjesët e gjetjeve arkeologjike siç është: “Kalaja e Harilaqit”, lagjen e Rrafshinave, pjesë të Korreticës, e po ashtu në njē afërsi është vendosur edhe ndërtimi i Stadiumit Nacional të Futbollit të Kosovës. /Ballkani.info/