Zemaj kërkon nga Ministria e Shëndetësisë që urgjentisht të marrë masa për gjendjen me COVID-19

Deputeti nga radhët e LDK’së, Armend Zemaj ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë që urgjentisht të marrin masa adekuate komform paralajmërimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe gjendjes me pandeminë në rajon dhe Evropë.

Zemaj ka thënë se në gjithë rajonin ka rritje të rasteve me COVID-19 dhe se Qeveria e Kosovës po e kalon këtë situatë duke menduar që Kosova është imune ndaj pandemisë.

 “Sot kur pothuajse i gjithë rajoni është përfshirë në një rritje të rasteve me COVID-19, po ashtu vendet Evropiane kanë marrë vende kufizues për të parandaluar një valë të re të infeksionit, Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë duket se po e kalojnë këtë situatë sikurse Kosova është imune ndaj pandemia dhe nuk po ndodh asgjë. Ftoj urgjentisht Qeverinë dhe Ministrinë e Shëndetësisë të ndërmarr masa adekuate komfort paralajmërimeve të OBSH’së dhe gjendjes në rajon dhe Evropë”, ka deklaruar ai.

Zemaj ka thënë se situata me pandeminë është duke shkuar e duke u përsëritur, duke përmendur kohën kur vendi regjistronte shifra të larta të infektuara me COVID-19, por që masat Anti-COVID ishin të liruara.

“Kjo situata duket se është duke shkuar në përsëritje, nuk po shohim një angazhim, strategji apo prioritet të ruajtjes të shëndetit publik si dhe ndërmarrje të masave parandaluese për të mospërsëritur një situatë të tillë. Menaxhimi dhe vendimmarrja nuk bëhet duke u ankuar, shpifur dhe imagjinuar situata të cilët kërkojnë të gjejnë fajtorët e të kaluarës”, ka shtuar ai.

Zemaj ka përmendur edhe grevat e protestat e punëtorëve shëndetësorë e mungesën e barnave.

“Kur u larguan punëtorët shëndetësorë dhe inspektorët thanë se s’ka nevojë se kaloj pandemia, kur ju ndalën shtesat dhe përkrahjen buxhetore për mjekët dhe stafin shëndetësor, na thanë se do të jenë në Ligjin e Pagave, asnjëra nuk ndodhi. Sot nga këto veprime kemi greva dhe protesta, ndërsa Ligji për Paga është vetëm në nivel diskutimi”, ka shtuar ai.