Ministri i Shëndetësisë

Zemaj: Ish ministri Arben Vitia nuk më ka kontaktuar fare, as detyrën s’ma ka dorëzuar

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se fillimi i marrjes së detyrës ka qenë i vështirë për të pasi që pandemia ishte në vlugun e saj.

Mirëpo, ai ka theksuar se as sot nuk do të hezitonte ta pranonte këtë pozitë po t’i kërkoj.

“Po, do ta pranoja pozitën, tash edhe nga kjo pozitë e them një po të fuqishme”, ka thënë Zemaj në emisionin “Debat” të RTK-së.

I pyetur se a është kontaktuar nga ish ministrat e Shëndetësisë që të koordinohet për menaxhmin e pandemisë, Zemaj ka thënë se ai i ka ftuar në takim katër ish ministrat e shëndetësisë.

“Unë i kam ftuar në takim katër ish ministra, por me kanë ardh vetëm dy. Kanë ardh ish ministrat Ferid Agani dhe Nimet Rrahmani, por jo edhe Uran Ismaili dhe Arben Vitia. Nuk me kanë jap arsye pse nuk kanë ardhur”, ka thënë Zemaj.

Sipas tij, ish ministri i fundit i Shëndetësisë, Arben Vitia asnjëherë nuk e ka kontakuar.

“Arben Vitija as nuk ma ka dorëzuar detyrën, mirëpo unë nuk jam marrë me atë se çfarë ka ndodhur para 4 qershorit, unë jam marrë me kërkesat që i kanë adresuar profesionistët shëndetësorë”, ka thënë Zemaj.