Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga PDK-ja lidhur me faljen e borxheve të ambalazhuesve të ujit dhe mesazheve të Dejona Mihalit me Nagip Krasniqin, ka thënë se sot VV-ja duhej të ishte në Kuvend.
Zemaj tha se VV i kishte premtuar qytetarëve parajsë, por që sipas tij vetëm se i ka varfëruar ata.
“Edhe për ne deputetët sot do duhej të ishin këtu t’i dëgjonin qëndrimet lidhur me korrupsionin e madh që po e bën partia e tyre, VV në qeveri. Por fatkeqësisht ky pushtet i dështuar po i ikë edhe përgjegjësisë që duhet t’i jep qytetarit që e votoi me premtimin e madh se do të bëjnë qeveri me duar të pastra. Faktet thonë se kjo qeveri veç duar të pastra nuk ka, i ka zhytur thellë në korrupsion”, tha ai.
Zemaj shtoi se qeveria po i mbron njerëzit e korruptuar.
“Kjo qeveri edhe sot del i mbron njerëzit e korruptuar pa fije turpi. A mund të dijmë pse Dejona Mihali pa asnjë pozitë në qeveri vendos kur të ndalet rryma? Kësaj s’mund t’i themi gjë tjetër veç skemë kriminale. Kjo skemë e krimit financiar, e kontrolluar nga parapolitika e krimit duhet të zbardhet nga organet e drejtësisë sepse këta njerëz premtuan parajsë dhe përfunduan duke varfëruar qytetarët”, tha Zemaj në Kuvend”, tha ai.







