Zeka: PEK përfundimisht shkon e vetme në zgjedhje, 60 kandidatë do t’i kemi në listë

Kreu i Partisë Euroatlantikë të Kosovës, Milaim Zeka, tha se partia e tij do të shkojë përfundimisht e vetme në zgjedhje. Ai tha se këtë vendim e kanë marr edhe në mbledhjen e fundit kosultative të kësaj partie.

“Ne për dallim prej të gjitha partive tjera që ndryshojnë qëndrim brenda ores, jo brenda ditës, ne kemi deklaru prej momentit të parë edhe pse të tjerët nuk kanë besu që një parti e re shkon e vetme në zgjedhje, por ne e kemi vendos në mbledhjen e fundit konsultative që nuk e ndryshojmë qëndrim, PEK shkon e vetme në zgjedhje”, tha Zeka për Ballkani.info.

Zeka foli edhe për përbërjen e listës së kandidatëve për deputetë nga kjo parti.

“E kemi gati pjesën dërrmuese të listës, por akoma nuk e kemi të plotë. Për arsye se ne kemi planifiku që të jenë 50% deputetë nga diaspora, mirëpo nuk e dimë se sa prej tyre do të kandidojnë, për shkak se ata nuk e kanë pritur që zgjedhjet do të mbahen kaq shpejt. Deri tani në listën e kandidatëve për deputetë të PEK-ut ka emra emra të njohur për opinionin, por edhe emra të panjohur. Ne kemi vendos që njëherë mos me tregu emra, do të jem unë, pastaj të tjerët. Deri tani i kemi 60 kandidatë që do të garojnë, prej tyre 15 janë femra. Kriteri i përgjithshëm është që minimum të jenë 30% kandidate të gjinisë femrore, ne si PEK kemi vendosur që të jenë 50% femra, 50% meshkuj, por deri tani nga 60 kadidatët, 15 prej tyre janë të gjinisë femrore. Unë do të kisha pasur dëshirë të jenë 60% kandidate femra, por siç e dini jena në një shoqëri, ku femrat po hezitojnë me u marr me politikë”, bëri të ditur lideri i PEK-ut.

I pyetur nëse kjo parti ka bërë ndonjë sondazh, Zeka tha se për PEK-un, sondazh janë qytetarët me të cilët takohen çdo ditë.

“Ne nuk bëjmë sondazhe. Nuk bëjmë sondazhe sepse sondazhet te na bëhen me pare. Na jemi në terren çdo ditë, sondazhet tona janë qytetarët”, përfundoi Zeka. /Ballkani.info/

loading…