Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka uruar homologun e saj të sapozgjedhur të Holandës, Caspar Veldkamp.
Nëpërmjet një postimi në platformën sociale, X, Gërvalla ka potencuar se mezi pret të punoj me ministrin e ri të Punëve të Jashtme të Holandës për të përmirësuar dhe thelluar partneritetin në mes të Kosovës dhe Holandës.
Në anën tjetër kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar për zgjedhjen e tij si Kryeministër i Holandës, Dick Schoof-in.
Këtë, Kurti e ka bërë përmes një postimi në platformën X, pak orë pasi që Schoof u zgjodh në krye të ekzekutivit holandez.
“Mezi pres të vazhdojmë bashkëpunimin tonë në zgjerimin e marrëdhënieve dhe promovimin e përbashkët të paqes, sigurisë, zhvillimit dhe demokracisë në Ballkanin Perëndimor”, shkroi Kurti.
Në këtë pozitë, Schoof do ta zëvendësojë pas 14 vitesh Mark Rutte-n, i cili është zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, ku nga tetori do të marrë edhe zyrtarisht drejtimin e Aleancës më të madhe ushtarake në botë.







