Qeveria e Kosovës

Zëdhënësi i Qeverisë: Takimi i Kurtit me ministra s’ka të bëjë me zhvillimet e sotme

Kryeministri Albin Kurti ka mbledhur pasitëne sotme në një takim kabinetin e tij qeveritar.

Në disa media u spekulua se kryeministri Kurti ka thirrur takimin e Qeverisë pas ngjarjeve të sotme, ku nën dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore janë arrestuar tre persona, dy zyrtarë në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe një biznesmen.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka mohuar që kabineti qeveritar të jetë mbledhur pas arrestimeve të sotme në MINT.

Kryeziu ka thënë për Telegrafin mbledhja e sotme e Qeverisë ishte planifikuar një javë më parë.

“Kryeministri Kurti ka zhvilluar sot një takim intern me kabinetin qeveritar, siç ishte planifikuar një javë më parë. Nuk ka të bëjë me zhvillimet e sotme. Gjatë këtij takimi u diskutua mbi mbarëvajtjen e projekteve dhe progresin në përmbushjen e planit strategjik-operacional e të programit qeverisës”, ka thënë Kryeziu për Telegrafin.

Ndryshe, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës sot janë arrestuar tre persona, nën dyshimet se kanë bërë keqpërdorime sa u përket blerjeve të rezervave shtetërore.

Prokuroria Speciale e Kosovës tha se të arrestuarit dyshohen për veprat penale: “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “dhënie e ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) konfirmoi se dy prej të arrestuarve janë zyrtarë të saj.

Përmes një komunikate për media, Prokuroria Speciale – e cila e ka dhënë urdhrin për arrestime – tha se të arrestuarit janë personat me inicialet, R.M. H.G dhe I.L.

Të arrestuarve u është caktuar masa e mbajtjes për 48 orë.

Në njoftim është përmendur edhe bastisja e disa ambienteve dhe sekuestrimi i provave materiale.

MINT, ndërkaq tha se gjatë 18 gushtit janë kontrolluar zyrat e dy zyrtarëve të lartë të kësaj ministrie: të drejtorit të departamentit të rezervave shtetërore, Hafiz Gara dhe të drejtorit të departamentit për integrime evropiane, Irfan Lipovica.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë mirëpret çdo hetim për rastin e blerjes së rezervës shtetërore, anipse ne jemi të bindur që furnizimet dhe rezerva shtetërore janë në përputhje me ligjet përkatëse, planin përkatës dhe asnjë dëm apo dëmtim nuk ka ndodhur me to”, u tha në reagimin e MINT-it.