Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim për largimin e shumicës së masave kufizuese. Këto vendime kanë ndikuar që vendi t’i rikthehet normalitetit duke rifilluar punën shumë aktivitete biznesore, por jo edhe dasmat e klubet e natës.
Ministria e Shëndetësisë kishte prezantuar plan me tri faza të hapjes së ekonomisë i cili ahengjet i pozicionoi në fazën e tretë, por deri më tani nuk kanë rifilluar aktivitetin.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti për Gazetën Sinjali ka thënë se kufijtë, aeroportet, ahengjet, banjat, panairet, pishinat dhe klubet e natës janë veprimtari të cilat rivlerësohen gjatë fazës së tretë, që ka filluar me 1 qershor.
Sipas Hotit, çdo vendim për hapjen e tyre duhet të shoqërohet me analizë të situatës epidemiologjike dhe rekomandime të IKSHPK-së.
“Kufijtë, aeroportet, ahengjet, banjat, panairet, pishinat dhe klubet e natës janë veprimtari të cilat rivlerësohen gjatë fazës së tretë, që ka filluar me 1 qershor. Çdo vendim për hapjen e tyre duhet të shoqërohet me analizë të situatës epidemiologjike dhe rekomandime të IKSHPK-së. Në momentin që do të ketë vendim për këto veprimtari, do të njoftohen edhe subjektet respective, edhe publiku”, ka thënë Faik Hoti .
Në vendin tonë deri më sot janë infektuar 1 mijë e 269 persona, prej tyre 912 janë shëruar, ndërsa 31 kanë vdekur.







