Selim Marevci

Zëdhënësi i Ferizajt me akuza ndaj Kurtit: Na ndale projektin, por ne prapë jemi të mirë dhe të japim shtalba

Zëdhënësi i Komunës së Ferizajt, Selim Marevci tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka qenë sot në Ferizaj, më saktësisht në fshatin Jezercë, aty ku u mbajtë ‘Ndeja e Shtalbave’.

Marevci përmes një shkrimi në Facebook ka hedhur akuza ndaj kryeministrit, duke ia përmendur atij problemet me të cilat përballet ky qytet.

Ai e akuzoi se e ka ndalur projektin për asfaltimin e rrugicave të Jezercit.

“Kryeministri Kurti sot paska qenë në Ferizaj, respektivisht në fshatin Jezercë…Por, mos harroni jo për naj projekt si p.sh, Ujëmbledhësin e Jezercit, por për me ngranë ”SHTALBA”.

Ndoshta ka edhe i ka pa që kanë mbet shumë rrugica të Jezercit pa asfaltu, por ato rrugica kanë qenë në buxhet, edhe janë fillu edhe tu u punu Kryeministër, por i hoqe si shumë projekte të tjera, këtij qyteti me kaq shumë potencial turistik e ekonomikë”, shkroi Marevci.

Tutje ai duke ironizuar uroi që shtalbat e Jezercit kanë qenë të pjekur mirë e nuk e kanë munduar kryeministrin.

“Na jemi të mirë apet, të japim “SHTALBA” por dashtë Zoti kanë qenë të pjekun mirë e nuk të kanë mundu, se njëmend nuk e di ae din që edhe SPITALIN Regjional nuk është tu vazhdu me u ndërtu e nuk kemi pas kushte te ky i moçmi! Nejse, shnet e t’mira tu paçin ba SHTALBAT!”, tha ndërtjerash Marevci.

Kujtojmë se kjo ndejë është organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje si një vendtakim me mërgimtarët.