Zbulohen prapaskenat, Real Madridi do të tentojë transferimin e Mbappes në ditën e fundit të afatit kalimtar

Kylian Mbappe është dëshira më e madhe e Real Madridit për afatin kalimtar veror.

Los Blancos deri më tani kanë transferuar vetëm David Alaban me parametra zero, por sa i përket shpenzimeve ende nuk kanë shpenzuar as një milionë për transferime.

Gjiganti spanjoll po bëhet gati për transferimin bombastik në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës, për të marrë Kylian Mbappen.

Lajmin e ka bërë të ditur gazeta spanjolle ‘AS’, e cila raporton se lëvizja e fundit e Real Madridit për të marrë shërbimet e Mbappes do të jetë më 30 gusht, në ditën e fundit të afatit kalimtar.

Los Blancos janë gati të ofrojnë një shumë rreth 150 milionë euro që thuhet se nuk mund të refuzohet nga Paris Saint Germain.

Mbappe është futur në vitin e fundit të kontratës me parisienët dhe drejtuesit e klubit nuk duan që ai verën e vitit të ardhshëm të largohet pa para.

22-vjeçari besohet se ka një marrëveshje personale me Los Blancos dhe tani pret vetëm dy klubet të merren vesh mes vete.

Gjithnjë sipas gazetës ‘AS’, PSG do ta pranojë ofertën e Realit në ditën e fundit pasi ka nevojë për para dhe do ta lejoj largimin e Mbappes nga Parc de Princes.

Reprezentuesi francez është bashkuar me parisienët 2017 nga Monaco, derisa ka zhvilluar 174 ndeshje zyrtare me këtë klub duke shënuar 133 gola e duke asistuar në 63 të tjerë.