Emiliano Sala iu kishte dërguar disa mesazhe shokëve të tij ku shprehte shqetësimin para se aeroplani në të cilin ndodhej të zhdukej.

28 vjeçari argjentinas që në fundjavën e kaluar kompletoi transferimin e tij te Cardiff City nga Nantes, ishte rikthyer në Francë për t’i dhënë lamtumirën e fundit ish bashkëlojtarëve.

“Hej djema, si jeni? Unë jam shumë i lodhur tani. Isha në Nantes duke i rregulluar disa gjëra. Tani jam në aeroplan që duket se do të shkatërrohet i tëri. Tani po udhëtoj drejt Cardiffit, çmenduri, dhe nesër do të stërvitem me bashkëlojtarët e mi”, shkruan fillimisht Sala.

Përveç këtij mesazhi, pak më vonë sulmuesi argjentinas i dërgoi një tjetër mesazh shokut të tij.

“Si jeni djema, gjithçka në rregull? Nëse brenda 1 orë e gjysmë nuk keni më informata nga unë, nuk e di nëse do të dërgojnë dikë për të më gjetur. Kam filluar të frikësohem”, shkruajti më vonë Sala.

Policia e Gournsey konfirmoi dje se kërkimet kanë ndaluar për shkak të përfundimit të ditës, ndërsa autoritetet kanë thënë se nëse aeroplani ka përfunduar në ujë, atëherë gjasat për t’i gjetur janë shumë të vogla.

Kërkimet do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme.

Ndërkohë tifozët e Nantesit gjatë ditës së djeshme janë mbledhur teksa në shenjë solidariteti kanë grumbulluar lule dhe shallë të klubit për të kujtuar Emiliano Salan.