Zbulohen kushtet e Pep Guardiolës për të qëndruar te City

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, sipas medieve në Angli, po kërkon “ndryshime gjithëpërfshirëse” te “Citizens” nëse do të zgjasë kontratën me kampionët në fuqi të Premier Leagues. Spanjolli besohet se dëshiron tri blerje të reja gjatë verës dhe gjithashtu mund të forcojë stafin e tij stërvitor pas largimit të Mikel Artetas tek Arsenali, lëvizje që pritet të zyrtarizohet të premten.

Guardiola po synon të paktën një qendërmbrojtës dhe një të majtë, si dhe një sulmues të ri. Në fakt, spanjolli edhe gjatë merkatos së verës kishte lënë të kuptohej se dëshironte disa fytyra të freskëta, por City rekrutoi vetëm dy lojtarë gjatë verës. Joao Cancelo u ble një zëvendësim për Danilon, i cili kishte kërkuar të largohej, por portugezi nuk u përshtat si duhet e pritet të huazohet te Valencia ose Bayerni.

Guardiola gjithashtu mendohet se po mendon të afrojë një sulmues cilësor, duke parë pasigurinë që rrethon të ardhmen e Leroy Sane, për të cilin ekipet e mëdha do të ishin gati të shpenzonin shuma marramendëse. Anësori gjerman pritet të kthehet në aksion, pas dëmtimit, rreth fillimit të shkurtit, por, me sa duket, nuk ka dhënë asnjë indikacion që dëshiron të qëndrojë në Manchester për sezonin e tij të pestë.

“Qytetarët” mësohet se do të promovojnë Rodolfo Borrell në pozicionin që deri tani e ka mbajtur Arteta, i cili është i gatshëm të bëhet menaxheri i ri i Arsenalit.

City është i sigurt se Guardiola do të respektojë kontratën e tij, e cila përfundon në vitin 2021, pavarësisht dëshirës së tij për ndryshime drastike.