Zbulohen çmimet e biletave për miqësoren e veteranëve në “Air Albania”

Më 10 janar, në “Air Albania” do të zhvillohet një miqësore mes Kombëtares shqiptare, të Italisë kampione bote në vitin 2006 dhe atyre të Turqisë, pjesëmarrëse në botërorin 2002, si dhe veteranëve të Greqisë së artë, që triumfoi në “Euro 2004”.

Kryetari i Shoqatës së Futbollistëve Shqiptarë, Andi Lila, një nga organizatorët e këtij eventi, nëpërmjet një postimi në faqen e tij në Instagram ka zbuluar çmimet e biletave për këtë ndeshje, të ardhurat e së cilës do të shkojnë për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit.

Në tribunat N, S dhe V një biletë do të kushtojë 500 lekë, ndërsa në tribunën E, 1000 lekë të rinj.

Lila u ka bërë thirrje të gjithë tifozë që të ftojnë shokët e miqtë e tyre për të qenë sa më të shumtë në numër në impiantin modern të Shqipërisë.