Zbritet dënimi i Neymarit në Ligën e Kampionëve

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) ka vendosur që t’ia zvogëlojë dënimin sulmuesit të Paris Saint-Germainit, Neymarit, në Ligën e Kampionëve nga tri në dy ndeshje pezullim.

Dënimi i Neymarit në Ligën e Kampionëë bën që ai të mungojë në ndeshjen e nesërme kundër Real Madridit, si dhe në ndeshjen e 1 tetorit kundër Galatasarayit, në kuadër të Grupit A.

Megjithatë, Neymar pritej të mungonte edhe në ndeshjen e 22 tetorit, kundër Club Brugge. Tani, braziliani do të luajë në këtë ndeshje pasi që CAS ka vendosur që t’ia zvogëlojë dënimin nga tri në dy ndeshje pezullim.

UEFA kishte vendosur ta dënojë Neymarin me tri ndeshje pezullim pasi ai e kishte ofenduar gjyqtarët, pas eliminimit të PSG-së nga Liga e Kampionëve kundër Manchester Unitedit.

Neymar Junior shpërtheu ndaj gjyqtarëve që ndanë drejtësinë në ndeshjen PSG – Manchester United, sfidë në të cilën triumfuan këta të fundit 1-3 dhe u kualifikuan në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Goli që ia siguroi Manchester Unitedit kualifikimin në fazën e radhës të Ligës së Kampionëve u shënuan nga Marcus Rashford pas minutës së 90’ nga penalltia, e fituar me ndihmën e VAR-it.

Kundër kësaj penalltie kishte reaguar Neymar, i cili shkaku i lëndimit nuk ishte paraqitur në atë ndeshje të zhvilluar në “Parc Des Princes”.

“E turpshme. Katër njerëz që nuk dinë asgjë për futbollin e shikuan në mënyrë të ngadalësuar rastin në TV. Nuk kishte asgjë. Çfarë mund të bëjë ai me dorën e tij derisa kthehet mbrapa”, kishte shkruar Neymar në rrjetet sociale pas ndeshjes.

loading…