Zbardhen detajet e marrëveshjes mes Ancelottit dhe Evertonit, pritet zyrtarizimi

Mungon vetëm zyrtarizimi, por tani duket se nuk ka më dyshime. Carlo Ancelotti do të ulet në stolin e Evertonit, me një mision të vështirë, për të shpëtuar sezonin e një skuadre që trajneri portugez Marcos Silva e la në vendin e 16 të renditjes.

I shkarkuar vetëm një javë më parë nga Napoli, Ancelotti ka arritur akordin me klubin nga Liverpool dhe pritet të nënshkruajë një kontratë të vlefshme deri në verën e 2023-shit, me një pagë prej 4.5 milionë eurosh në sezon, disi më pak sesa merrte te napolitanët.

Mediat italiane raportojnë se ndihmës të Ancelottit do të mbeten edhe djali i tij Davide si dhe Mino Fulco, por asistenti i parë do të jetë Duncan Ferguson, që është prej dy javësh trajneri provizor i Everton.

Ancelotti pritet të shkojë në “Goodison Park”, ndërsa debutimin pritet ta bëjë të shtunën në ndeshjen ndaj Arsenalit, por vlen të theksohet se kalendari i ka rezervuar disa sfida “ferri” teknikut italian në start të kësaj aventure.