Zaniolo me shumë mundësi humbet EURO 2020

Lajme të këqija vijnë për klubin e Romës nga klinika Villa Stuart në kryeqytet, sipas të cilës fantazisti 20-vjeçar do të duhet t’i nënshtrohet një operacioni në gju paraditen e sotme dhe do të mungojë për disa muaj.

Zaniolo u dëmtua gjatë ndeshjes ndaj Juventusit, teksa në minutën e 30 bëri një galopim prej rreth 40 metrash duke dribluar disa kundërshtarë, derisa në fund u ndal me faull nga De Ligt, por një vendosje e keqe e këmbës, i kushtoi shtrenjtë.

Menjëherë pasi ra në tokë, Zaniolo ndjeu dhimbje dhe kërkoi zëvendësim, teksa la fushën e lojës me ndihmën e barelës e me lot në sy, për t’u nisur menjëherë drejt klinikës, ku kreu edhe vizitat mjekësore.

Rezultati i tyre doli pak para mesnate dhe konfirmoi këputje të ligamentit të kryqëzuar në gjurin e djathtë shoqëruar edhe me një problem në menisk, duke bërë të pa mundur shmangien e operacionit, që u planifikua për sot.

Tani Zaniolo pritet të mbetet jashtë për disa muaj, ndërsa janë thuajse minimale shanset që 20-vjeçari të vihet në dispozicion të Roberto Mancinit për Kampionatin Europian 2020, që do të startojë pikërisht me një ndeshje në Romë.