Zëvendës presidenti i Interit, Javier Zanetti nuk dëshiron që bashkëkombasi i tij Lionel Messi të riaftësohet nga lëndimi në krahë për ballafaqimin e sontëm me “Nerazzurrët”.

Messi mungoi në takimin e parë të para dy javëve të cilin Barcelona e fitoi 2-0, me njërin prej golave që u shënua nga ish lojtari i Interit, Rafinha.

Ylli argjentinas ka udhëtuar me skuadrën në Milano, por trajneri i katalanasve, Ernesto Valverde la të kuptohet në konferencën për shtyp para lojës se nuk do ta rrezikojë kapitenin e Barcelonës.

Ndërkohë, legjenda e Interit, Javier Zanetti që ka luajtur së bashku me Messin në kombëtaren e Argjentinës, shpreson që 31 vjeçari të mos jetë i gatshëm për sonte.

“Është kënaqësi të shohësh Messin teksa luan, por shpresoj se do të vazhdojë edhe pak në bankën rezervë, duke e ditur dëshirën e çmendur të tij për të luajtur. Pres një ndeshje të komplikuar, ata kanë kualitete në gjitha pjesët e fushës, por Interi i ka të gjitha kushtet e nevojshme për t’i mposhtur. Të dyja skuadrat kanë formë të mirë. Nuk besoj se do të shohim një Barcelonë tjetër, ata nuk e ndryshojnë kurrë filozofinë e tyre”, u shpreh Zanetti.

Në anën tjetër Zanetti nuk është i frikësuar me raportimet se Real Madridi është i interesuar për sulmuesin e Interit, Mauro Icardi. 25 vjeçari ka shënuar 6 gola këtë sezon në Serie A, ndërsa është në bisedime për rinovimin e kontratës me 18 herë fituesit e kampionatit italian.

“Icardi është kapiteni dhe pika jonë e referimit. Ai gjithashtu është i lumtur te Interi. Ne nuk jemi në dijeni për ndonjë interesim të Real Madridit. Ne jemi të vetëdijshëm se Interi është klub i shëndetshëm nga ana financiare që nuk ka nevojë t’i shes futbollistët më të mirë”, përfundoi ish kapiteni dhe legjenda e Interit.