Ylli i Reims i kërkon Messit të bëjë fotografi me djalin e tij

Portieri i Stade de Reims, Predrag Rajkovic, e ka shfrytëzuar mundësinë për ta pasur një fotografi me Lionel Messin, në debutimin e superyllit argjentinas për Paris Saint-Germainin të dielën në Reims.

Messi debutoi nga stoli për PSG-në në fitoren 2:0 kundër Reims në Ligue 1, duke i dhënë fund pritjes së madhe.

Superylli argjentinas pati mundësi të luante rreth 20 minuta dhe u mirëprit edhe nga tifozët dhe lojtarët kundërshtarë.

Portieri serb e ndali Messin në përfundim të ndeshjen dhe ia dha ta mbajë në krah fëmijën e vet për t’i bërë fotografi.

Më pas, Messi e vuri nënshkrimin e tij mbi një baner të cilin tifozët e Reims e kishin përgatitur për të.

Parisi fitoi falë dy golave të Mbappes, por Messi ishte në qendër të vëmendjen pas debutimit të tij në minutën e 65-të.

Futja e Messit në fushë u mirëprit me duartrokitje të mëdha nga tifozët vendas, të cilët, megjithëse kundërshtarë, e brohoritën emrin e argjentinasit.

Messi iu bashkua PSG-së si lojtar i lirë në fillim të gushtit dhe nënshkroi marrëveshje dyvjeçare, me mundësi për edhe një vit tjetër.

Messi u largua nga Barcelona, klubin e vetëm për të cilin kishte luajtur gjatë gjithë karrierës, pasi katalonasit nuk ishin në gjendje t’i ofronin kontratë të re atij si pasojë e rregullave financiare të La Ligës.