Yjet kosovare në sy të klubeve të mëdha evropiane

Vedat Muriqi, Milot Rashica, Edon Zhegrova e të tjerët mund të ndërrojnë mjedis gjatë verës që vjen

Futbollistët e Përfaqësueses së Kosovës nuk kanë qenë kurrë më të kërkuar në tregun evropian.

Yjet kosovar po kërkohen nga klubet e mëdha evropiane falë paraqitjeve brilante me ekipet përkatëse, por edhe me Kosovën.

Vedat Muriqi, Milot Rashica, Edon Zhegrova dhe të tjerët mund të ndërrojnë mjedis gjatë verës që vjen.

Sulmuesi i Fenerbahçes është emri më i përfolur në muajt e fundit.

Prizrenasi kërkohet mbi të gjitha në Angli.

Në Ishull atë e duan tetë klube, shkruan Gazeta Express.

Bëhet fjalë për Tottenhamin, Manchester Unitedin, Newcastle Unitedin, Leicester Cityn, Leeds Unitedin, West Bromwich Albionin, Burnleyn e Brightonin.

Gjithashtu, 25 vjeçarin e duan edhe në Itali, Lazio dhe Napoli.

E në Francë së fundmi interesim për të ka shprehur Rennesi.

Vlera e Muriqit sillet afro 20 milionë euro dhe ai pritet të largohet nga Stambolli gjatë verës.

Rashica po ashtu është bërë objektiv i klubeve të njohura evropiane.

Ylli i Werder Bremenit pëlqehet në Gjermani nga Leipzigu dhe Borussia Dortmundi.

Gjithashtu, 23 vjeçari është edhe preferencë e Liverpoolit dhe Aston Villës në Angli.

Edhe vushtrriasi, njëjtë si Muriqi, pëlqehet nga dy klubet italiane, Lazio e Napoli.

Vlera e futbollistit ofanziv është 38 milionë euro.

Rashica ka kontratë me Werderin deri në vitin 2022.

Ai i ka realizuar 10 gola deri tash këtë sezon me klubin gjerman.

Ndërkohë, Zhegrova është i huazuar aktualisht në Basel.

Klubi zviceran nuk e ka ndërmend ta blejë kartonin e yllit të ri kosovar, i cili gjatë verës pritet të rikthehet përkohësisht tek Genku.

Zhegrova i ka zhvilluar 14 ndeshje në Superligën zvicerane këtë sezon duke i realizuar 2 gola dhe duke i dhuruar 3 asistime.

Dhe, interesim për futbollistin e krahut të djathtë kanë shprehur Chelsea dhe Wolverhamptoni në Angli.

Gjithashtu, flitet se 21 vjeçarin e duan në Francë, Olympique Marseille dhe Lille.

Vlera e Zhegrovës është afro 5 milionë euro.

Gjatë verës që vjen, nuk përjashtohet mundësia që edhe “Dardanët” tjerë si Valon Berisha, Fidan Aliti, Florent Hadërgjonaj, Anel Rashkaj, Herolind Shala, Arijanet Muriç, Bersant Celina e të tjerët, t’i ndërrojnë klubet e tyre.

Siç dihet, Amir Rrahmani e ka kompletuar transferimin nga Verona në Napoli për sezonin e ardhshëm.