Yjet e Barcelonës zemërohen me drejtuesit e klubit për shkak të Neymarit

Pas spekulimeve të vazhdueshme këtë verë, e ardhmja e Neymarit ende nuk është e qartë. Real Madridi, Barcelona dhe Paris Saint-Germaini po vazhdojnë të tentojnë ta arrijnë marrëveshjen më të mirë për vete.

Kjo ka bërë që yjet e skuadrës katalonase të mbeten të zemëruar me presidentin e klubit, Josep Maria Bartomeun, pas ofertës së parë zyrtare për brazilianin.

Braziliani e ka bërë të qartë se ai dëshiron të kthehet te klubi që e kishte lënë para dy sezoneve. Së fundi, ish ylli i Santosit i ka kontaktuar ish bashkëlojtarët e tij, shkruan Marca.

Përderisa emrat nuk janë bërë të ditur, raportohet se Neymari u ka thënë këtyre lojtarëve se vlera fiskale e ofertës më të madhe të Barcelonës për të ishte vetëm rreth 140 milionë euro. Kjo është një shumë dukshëm më e ulët sesa 250 milionë eurot që klubi parisien ia ka vendosur brazilianit.

Për shkak të kësaj oferte, lojtarët kryesorë të Barcelonës kanë mbetur të zemëruar dhe të zhgënjyer me Bartomeun, pasi që besojnë se ai nuk është duke bërë mjaftueshëm për ta kthyer Neymarin në skuadër.

Në rrethana normale, janë presidentët ata që vendosin se kë do ta transferojë një klub. Mirëpo, presidenti i kishte premtuar skuadrës në fund të sezonit të kaluar se do ta kthente brazilianin me çdo kusht.

Mirëpo, lojtarët e Barcelonës nuk po i shohin ofertat e Barcelonës si tentim të vërtetë, veçanërisht duke e marrë parasysh edhe interesimin e Real Madridit për Neymarin, pasi që klubi madrilen ka marrëdhënie të mira me drejtuesit e PSG-së.

Për momentin, Barcelona mbetet zgjedhja e parë e Neymarit, mirëpo ai nuk do të pres përgjithmonë pasi që do të preferonte të luante për Real Madridin sezonin e ardhshëm para se të mbetet në Francë.

Lionel Messi thuhet se është njëri ndër lojtarët më të përfshirë në këtë situatë, pasi që ai po kërkon ta fitojë një tjetër trofe të Ligës së Kampionëve dhe beson se transferimi i Neymarit është fundamental për ta arritur këtë ëndërr.

loading…