Xhaviti Haliti sërish nuk shkon në seancën gjyqësore për sulmin ndaj Arben Gashit

Si rezultat i mungesës së deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti sërish është shtyrë seanca e rigjykimit në rastin ku ai po akuzohet për sulm ndaj deputetit të LDK-së, Arben Gashit që kishte ndodhur në maj të 2018-ës.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Haliti, gjykatësja e rastit Sulltane Hoti deklaroi se i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo nga fletë kthesa e kthyer më 7 korrik 2022, rezulton se “i kanë lënë lajmërim me shkrim në këtë adresë, nuk erdhi ta tërheqë”.

Gjithashtu në seancë nuk prezantoi as avokati i autorizuar i të akuzuarit Haliti, avokati Kujtim Kërveshi, për të cilin gjykatësja Hoti tha se nuk është kthyer fletë kthesë në gjykatë.

Po ashtu, në seancë nuk ishte i pranishëm as i dëmtuari Arben Gashi, për të cilin gjykata e ka ftuar me ftesë mirëpo për të njëjtin asgjë nuk është kthyer nga zyra e dorëzuesve të gjykatës.

Në këtë seancë  i pranishëm ishte vetëm prokurori Fisnik Jakupi.

Andaj pasi që gjykatësja Hoti konstatoi që nuk janë plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e këtij shqyrtimi gjyqësor, seancën e sotme e ka shtyrë në kohë të pa caktuar.

“Seanca e radhës do të caktohet pas pranimit të njoftimeve lidhur me ftesat e grupuara për këtë seancë”, tha gjykatësja Hoti.

Më 9 qershor të këtij viti kishte dështuar shqyrtimi gjyqësor shkaku se Xhavit Haliti ishte në udhëtim jashtë vendit.

Në tetor të 2019-ës, Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte dënuar me nga 1 mijë e 250 euro gjobë deputetin e PDK-së, Xhavit Halitin dhe ish-deputetin e AAK-së, Gani Dreshaj, për sulm dhe kanosje të deputetit të LDK-së, Arben Gashi.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur  në maj të vitit 2019 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzuari Xhavit Haliti më 18 maj 2018 në Kuvendin e Kosovës në Prishtinë me dashje ka sulmuar deputetin- tani të dëmtuarin Arben Gashi, duke e shtyrë me krahë dhe bërryl në gjoks.

Me këtë, Haliti po akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulmi” nga neni 187, par.1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tre vjet./BetimipërDrejtësi