Xhavit Halitit ia ndal fjalën Xhelal Sveçlës, VV lëshon seancën. Kurteshi: Ti njeh veç frikën

Një debat në mes deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla dhe kryesuesit Xhavit Haliti, ka bërë që deputetët e VV-së ta lëshojnë sallën e Kuvendit të Kosovës.

Derisa Sveçla ka drejtuar akuza ndaj Ardiana Hoxhiqit, kryesuesi Xhavit Haliti ia ka ndal fjalën duke thënë se po ofendon me çështje familjare.

“Tash skandalet nuk duhet të mbulohen me veprime të tjera. Sot, ne u ballafaquam edhe me skandalin e radhës. Pas emërimit të Adriana Hoxhiq si ministre, shumë qytetarë të Kosovës në veri na kanë informuar për këtë skandal. Hoxhiq nuk është anëtare e Listës Serbe por është ideatore e politikave të tyre. Ajo, edhe pse e martuar me një burrë shqiptarë, jeton në veri të Mitrovicës”, ka thënë Sveçla, teksa fjalimin e tij e ka ndërprerë Haliti.

“Ju lutem mos e ofendo askënd personalisht. Nuk e kemi këtu Adriana Hoxhiqin. Të lutem, ndale fjalën. Ajo është grua dhe shtetase e Kosovës, s’kemi nevojë ne me ia përmend martesën e as fejesën”, ka thënë Haliti.

Pas kësaj deputetët e VV-së, kanë lëshuar seancën. Kurse, deputeti Sami Kurteshi derisa dilte nga salla, i ka thënë Halitit se nuk njeh debat por vetëm frikën.