Kandidati për deputet nga radhët e Partia Demokratike e Kosovës, Xhavit Haliti, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për qëndrimin e tij ndaj figurave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përmes një postimi, Haliti ka deklaruar se Kurti “ka fobi ndaj UÇK-së” dhe ndaj figurave qendrore të saj, duke e akuzuar atë për një qasje negative ndaj vlerave të luftës çlirimtare.
“Albin Kurti ka fobi ndaj UÇK-së, ka fobi ndaj figurave qendrore të UÇK-së. Por, liria dhe shteti i Kosovës janë rezultat i luftës së UÇK-së dhe mbështetjes së miqve ndërkombëtarë”, ka shkruar Haliti.
Ai ka theksuar se rruga drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës është ndërtuar mbi sakrificën e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përkrahjen e aleatëve ndërkombëtarë, duke vlerësuar se këto kontribute duhet të respektohen dhe të trajtohen me dinjitet në diskursin politik.
Deklarata e kandidatit të PDK-së vjen në kuadër të aktiviteteve dhe qëndrimeve të tij publike gjatë fushatës zgjedhore, ku temat që lidhen me luftën çlirimtare dhe trashëgiminë e saj vazhdojnë të mbeten pjesë e rëndësishme e debatit politik në vend.







