Xhaka rikthehet, Arsenali pëson me humbje nga Evertoni

Evertonit i janë anuluar dy gola nga VAR-i, por në fund arriti fitore të madhe ndaj Arsenalit. Evertoni fitoi 2:1 ndaj Arsenalit, të hënën mbrëma në xhiron e 15-të të Premier Leagues.

Richarlisonit iu anulua një gol në minutën e 44-t e një tjetër në minutën e 58-të. Por ky lojtar barazoi shifrat në minutën e 80-të. Përmbysjen e madhe të Evertonit e kompletoi Demarai Gray, që shënoi për 2:1 në minutën e 92-të.

Arsenali kishte kaluar në epërsi në kohën shtesë të pjesës së parë. Martin Oedegaard realizoi për londinezët. Te Arsenali ndeshjen e kompletoi Granit Xhaka, që është kthyer pas një lëndimi. Xhaka u ndëshkua me karton të verdhë. Mesfushori shqiptar së fundi kishte luajtur më 26 shtator, kur edhe kishte pësuar lëndimin. Kthimi i Xhakës pritej në vitin tjetër, por ai befasoi me rikuperim më të shpejtë. Për Evertonin ishte fitorja e parë pas tetë ndeshjeve. Së fundi kishte fituar në kampionatin anglez më 25 shtator. Arsenali renditet i shtati me 23 pikë. Evertoni mban pozitën e 12-të me 18 pikë.