Ylli kosovar

Xhaka për herë të tretë në ekipin e xhiros në Bundesligë, përgatitet për derbin e zjarrtë

Granit Xhaka ka zënë vend në ekipin më të mirë të xhiros në Bundesligë. Në 11-shen e javës, mesfushori kosovar i Bayer Leverkusenit është përfshirë për herë të tretë.

Përzgjedhjen e ka bërë revista e madhe gjermane “Kicker”.

Kapiteni i Zvicrës ishte në ekipin më të mirë në dy xhirot e para të edicionit në kampionatin gjerman. Më pas për 20 xhiro nuk u përzgjodh, por është në mesin e më të mirëve për xhiron e 23-të të zhvilluar fundjavën e kaluar.

Leverkuseni fitoi 2:1 ndaj Mainzit, të premten. Xhaka u shqua në mesfushë, ndërsa e shënoi edhe golin e parë të edicionit. Ishte supergol në fakt me goditje nga distanca.

Sulmuesi Harry Kane i Bayernit dhe reprezentuesi i Gjermanisë, Robin Gosens i Union Berlinit janë në mesin e lojtarëve të përzgjedhur në ekipin e xhiros.

Leverkuseni ka 33 ndeshje rresht pa humbje, që është rekord në Gjermani.

Më 3 mars, Bayer Leverkuseni ka ndeshje të vështirë në udhëtim ndaj Koelnit. Bëhet fjalë për derbi regjional dhe për njërin prej më të zjarrtëve në Gjermani.

Xhaka e di rëndësinë e derbit, nga koha sa ishte te Borussia Moenchengladbachu.

“Gjëja e mirë është që në derbi renditja tabelare nuk vlen. Pasi derbi është deri. Ka të bëjë shumë më tepër se vetëm me renditjen në tabelë”, ka thënë Xhaka, shkruan Kicker të hënën.

Leverkuseni, Koelni dhe Borussia Moenchengladbachu janë skuadrat që luajnë “derbit Rheine”.

Leverkuseni e Koelni aktualisht kanë synime krejt të ndryshme, Leverkuseni është lider në Bundesligë me 61 pikë, tetë më shumë se Bayerni. Koelni është vetëm i 16-ti dhe po lufton për ekzistencë në elitën gjermane.

“Është ndeshje shumë e rëndësishme për klubin, për ne lojtarët. Duam të kthehemi me tri pikë në Leverkusen”, ka shtuar Xhaka. “Përfundimisht do të jetë ndeshje ku do të ketë shumë urrejtje. Por ne lojtarë duhet të qëndrojmë të qetë në fushë dhe të koncentrohemi në futboll. Kështu do të kthehemi me ndonjë gjë”.

Xhaka dhe bashkëlojtarët e tij janë të vendosur që të vazhdojnë me rezultate pozitive, përkatësisht me serinë rekorde.