Bundesliga

Xhaka flet për Xabi Alonson dhe titullin e kampionit në Bundësliga

Granit Xhaka ka folur rreth spekulimeve që lidhen me trajnerin Xabi Alonso për një largim të mundshëm nga Bayer Leverkusen.

Trajneri spanjoll ka punuar tek “Farmaceutikët” që nga tetori i vitit 2022, ndërsa i udhëhoqi “Die Werkself” nga fundi i tabelës në vendin e parë në Bundesligë.

Si rezultat, trajneri spanjoll e ka zgjuar interesimin e klubeve të mëdha evropiane dhe kjo nuk e befason yllin kosovar, i cili e di se trajneri i suksesshëm është i gatshëm që ta bëjë hapin e radhës në një pikë të karrierës.

“Derisa ai është këtu, ne do ta shijomë atë. Do të vijë dita kur ai ndoshta do të duhet të lëvizë, por kjo është normale në futboll”, deklaroi Xhaka për “Sky Germany”.

 “Nuk e kam atë ndjenjë për momentin se mendja e tij është diku tjetër. Ne e shohim këtë çdo ditë, ai vrapon thuajse më shumë se që bëjmë ne në stërvitje. Ai na jep ne atë urinë që e ka, atë ndjenjën që dëshiron të fitojë. Dhe natyrisht ne duam që t’ia kthejmë atij dhe ta shpërblejmë atë”, vazhdoi përfaqësuesi zviceran.

Leverkuseni aktualisht është 7 pikë përpara Bayern Munichut, i cili e ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Por, përkundër faktit se e kanë krijuar këtë epërsi ndaj kampionëve gjermane, Leverkuseni nuk po mendon ende për titullin e kampionit.

“Ne nuk flasim për titull në dhomat e zhveshjes”, përfundoi Xhaka.

Leverkuseni nuk e ka pësuar asnjë humbje në këtë sezon dhe është skuadra e vetme në Evropë me këtë arritje magjike. /Ballkani.info