Xhaka beson se Arsenali do të përfundojë në Top 4 në Premier League

Mesfushori i Arsenalit, Granit Xhaka beson se shpirti kolektiv i skuadrës do t’i sigurojë “Topçinjëve” kualifikimin në Champions League.

26 vjeçari ishte krucial në barazimin 1-1 ndaj Liverpoolit të shtunën në “Emirates” duke e çuar në 14 ndeshje serinë pa humbje të Arsenalit, ndërsa Xhaka këtë formë të mirë ia atribuon trajnerit spanjoll, Unay Emery, që u emërua verën e kaluar në stolin e londinezëve.

“Në secilën ndeshje jemi të vetëdijshëm se çfarë duhet të bëjmë. E njohim mirë kundërshtarin, pikat e dobëta dhe të forta të tyre. Emery është shumë i rëndësishëm, ai na ndihmon të gjithë lojtarëve në anën taktike, mund të shihet në fushë. Kemi karakter të fortë, nëse jemi në disavantazh, rikthehemi dhe nuk ishte hera e parë ajo ndaj Liverpoolit. Nëse e shihni atë ndeshje mund ta kuptoni se jemi gati për Top 4”, u shpreh Xhaka.

Ish lojtari i Monchengladbachut mendon se ardhja e Torrerias në mesfushë është një tjetër faktor në përmirësimin e lojës së Arsenalit, ndërsa shtoi se skuadra e tij ishte më e mirë përballë Liverpoolit.