granit xhaka

Xhaka, Akanji & Co.: Marrëdhënia e ndërlikuar e Zvicrës me “secondos”

Zvicra ka qenë prej vitesh një nga vendet kryesore importuese për Bundesligën gjermane. Lojtarët nga shteti i vogël fqinj i Gjermanisë konsiderohen si shumë të stërvitur, si taktikisht ashtu edhe fizikisht, shpesh kanë fituar shumë eksperiencë në Superligën vendase në moshë të re dhe shpesh, në krahasim me ligën gjermane, shiten me çmim të ulët. “Nati”, siç quhet përzgjedhja elitare zvicerane e futbollit, nga ana e tij përfiton nga “mercenarët” që fitojnë paratë e tyre në Gjermani dhe hedhin hapat e radhës me klubet e tyre në një nga ligat më të mira evropiane ose veçse janë pjekur në yje, raporton RND (Redaktionsnetzwerk Deutschland).

Skuadra aktuale e trajnerit kombëtar Murat Yakin, i cili dikur ka luajtur për VfB Stuttgart, përfshin gjithashtu shtatë lojtarë nga Bundesliga: Gregor Kobel nga Borussia Dortmund, Nico Elvedi nga Gladbach, Cedric Zesiger (VfL Wolfsburg), Ruben Vargas (FC Augsburg), Leonidas Stergiou (VfB Stuttgart), Silvan Widmer (Mainz 05) dhe Granit Xhaka nga Bayer Leverkuseni i cili sivjet fitoi Bundeligën dhe Kupën gjermane. Në raundin e fundit të Evropianit, Zvicra do të përballet me Hungarinë në fazën e grupeve këtë të shtunë (15:00 në Klan Kosova dhe Artmotion), më pas me Skocinë (19 qershor, 21:00 në Klan Kosova dhe Artmotion) dhe në fund me ekipin gjerman në Frankfurt (23 qershor, 21:00 në Klan Kosova dhe Artmotion), transmeton Klankosova.tv.

Të paktën që nga kampionati i fundit evropian, kur “Nati” i mbijetoi fazës së grupeve të turneut që u shty për në vitin 2021 për shkak të koronavirusit dhe eliminimit sensacional të favoritit kryesor, Francës në raundin e 16-të, skuadra nuk është më një nga ato “të voglat” e futbollit evropian. Dhe vetëm në çerekfinale, gara për zviceranët përfundoi me penallti kundër Spanjës. Megjithë suksesin, në atë kohë ka pasur gjithmonë diskutime për pamjen dhe sjelljen e disa yjeve – në mes të të gjithëve ishin disa “Secondos”, pikërisht Xhaka dhe ish-Dortmunderi Manuel Akanji (tani Manchester City).

“Secondos” – kështu quhen në Zvicër fëmijët e emigrantëve, pra të gjeneratës së dytë. Më shumë se gjysma e lojtarëve aktualë të skuadrës kanë shtetësi të dyfishtë. Prindërit e Xhakës vijnë nga Kosova, vëllai i tij Taulanti luan për Shqipërinë – të dy mund të kishin luajtur edhe për kombëtaren e sapothemeluar të Kosovës. Përveçse zvicerane, Akanji ka edhe pasaportë nigeriane. Tre vite më parë, dy “Secondos” bënë bujë në Zvicër pasi thirrën një parukier në hotelin e ekipit dhe i zbardhën flokët para ndeshjes së parë kundër Italisë (0:3).

Zvicra: Pranim për disa yje vetëm nëse janë të suksesshëm?

Kritikat ranë mbi sjelljen e supozuar arrogante dhe shpërqendrimin nga ajo që ishte e rëndësishme, turneu i Kampionatit Evropian. Pas arritjes në fazën e 16-të, kapiteni Xhaka u përgjigj publikisht: “Ne u kritikuam shumë për gjëra të vogla që nuk ishin aq të rëndësishme. Njerëzit po përpiqen ta shkatërrojnë këtë ekip”. Jo për herë të parë nga këndvështrimi i tij. Dhe jo për herë të parë, kjo ngjalli një debat për “Secondos”, të cilët shumë fansa mesa duket i pranojnë vetëm nëse janë të suksesshëm. Nëse gjërat nuk shkojnë mirë, një përqafim i ngrohtë kthehet shpejt në një përçarje në rast dështimi.

Ka pasur diskutime të ngjashme në Gjermani për një kohë, për shembull në vitin 2016, kur lojtarë si Mesut Ozil dhe Jerome Boateng nuk kënduan himnin kombëtar. Ose para Kupës së Botës 2018, kur Ozil dhe kapiteni aktual Ilkay Gundogan u fotografuan me despotin turk Recep Tayyip Erdogan. Ndaj të dyve pati brohoritje negative nga turma vendase në ndeshjen e fundit përpara se të niseshin për në Rusi – Ozil dha dorëheqjen pas turneut dhe madje akuzoi Federatën Gjermane të Futbollit (DFB) për racizëm.

Në të njëjtin vit ishte “çështja e shqiponjës dykrenare” në Zvicër. Ish-lojtari i Bayern-it, Xherdan Shaqiri (edhe ai me rrënjë kosovare), tashmë aktiv me Chicago Fire në ShBA, dhe Xhaka festuan në duelin tejet emocionues ndaj Serbisë (2:1) me “Shqiponjën dykrenare” që zbukuron flamurin shqiptar – Serbi nuk dëshiron ta njohë shtetin e Kosovës. Babai i Xhakës ishte i burgosur nga Serbia për vite me radhë. Familja e tij kishte marrë kërcënime me vdekje para ndeshjes dhe atmosfera ishte ndezur brutalisht për ditë të tëra. Dhe golashënuesit zviceranë ishin me fat që gjestet e tyre nuk u konsideruan si politike nga FIFA – përndryshe ata do të duhej të largoheshin, transmeton Klankosova.tv.

Katër vjet më vonë, pati një tjetër përballje me Serbinë në Katar – dhe me gjithë përpjekjet e të përfshirëve për të ndarë sportin dhe politikën këtë herë, pati një tjetër skandal: Pas golit të fitores 3-2 për zviceranët, Xhaka kapi organin e tij gjenital që nxiti pakënaqësi në fushë – dhe sërish debatet e njohura. Që atëherë, situata të paktën është qetësuar disi.

Peter Gillieron, president i federatës zvicerane në atë kohë, e sheh pozitiven në retrospektivë dhe thotë: “Ishte shkas për ndryshime nga të cilat ekipi kombëtar ka përfituar deri më sot: çdo njeri i prapambetur duhet ta kishte kuptuar dhe pranuar”. Me fjalë të tjera, çdo “malok” duhet ta kishte kuptuar dhe pranuar deri më tani se kombëtarja e Zvicrës përfiton nga qytetarët e saj me dyshtetësi, sikurse nga emocionet dhe pasioni i tyre. Megjithatë, kjo nuk përjashton mundësinë që të ketë një tjetër zhurmë në Kampionatin Evropian. Si Shqipëria ashtu edhe Serbia janë në start të turneut. /Klankosova.tv