Prishtina ka përjetuar një transformim të madh infrastrukturor gjatë qeverisjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Kryetarit Përparim Rama. Kështu ka deklaruar ish-drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Krenar Xhaferi, i cili theksoi se puna dhe përkushtimi i kësaj periudhe kanë sjellë rezultate të prekshme për qytetarët.

Sipas deputetit Xhaferi, vetëm gjatë kohës sa ka ushtruar këtë detyrë, është arritur që numri i rrugëve të realizuara të afrohet në 700 projekte. Vetëm në vitin 2023, Komuna ka pasur mbi 300 kontrata aktive, që përfshijnë ndërtime dhe përmirësime në fusha të ndryshme si rrugët, kolektorët, ndriçimi, kanalizimi, hapësirat publike, parkingjet dhe hyrjet kryesore të qytetit.

“Këto nuk janë vetëm numra në letër, por projekte konkrete që i shohim çdo ditë dhe që e kanë përmirësuar ndjeshëm jetën e qytetarëve tanë,” u shpreh Xhaferi.

Ndër projektet kryesore të përmendura janë: Rruga A, Rruga B, Unaza e Qytetit, Rruga “Nekibe Kelmendi”, Unaza e Brendshme, Rruga “Kolovicë – Sofali”, Rruga “1 Tetori”, si dhe ndërhyrje në lagje të mëdha të kryeqytetit si Ulpiana, Dardania dhe Arbëria. Po ashtu janë theksuar projektet për kolektorë, hyrjet e reja të Prishtinës, rrugët lidhëse me fshatra si Marec, Grashticë, Butoc dhe shumë të tjera.

LDK-ja vlerëson se këto investime dëshmojnë seriozitetin e saj për zhvillimin e kryeqytetit. “Prishtina e meriton LDK-në dhe Kryetarin Përparim Rama, sepse me LDK-në punohet, ndërtohet dhe ecet përpara,” ka përfunduar Xhaferi.