Kryetari i Kuvendit

Xhaferi: Deri në fund të muajit, seancat e Kuvendit të Maqedonisë do t’i drejtoj shqip

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi ka paralajmëruar se deri në fund të këtij muaji do të fillojë që seancat e Kuvendit t’i drejtoj në gjuhën shqipe.

“Deri në fund të muajit do të duhej që të organizohej shërbimi për implementimin e gjithëmbarshëm dhe kualitativ të udhëzimeve të Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Deri më tash i kam udhëhequr seancat në të dyja gjuhët pa marrë parasysh se ligji nuk ishte miratuar dhe kjo nuk i ka penguar askujt”, ka thënë Xhaferi, transmeton Ballkani.info.

Mirëpo, ka shtuar ai, do të presin që korniza ligjore ta merr formë legale.

Ligji për përdorimin e gjuhës ka hyrë në fuqi javën e kaluar pasi që është botuar në Gazetën Zyrtare të Maqedonisë pa nënshkrimin e presidentit të shtetit siç e parasheh Kushtetuta.

Opozita maqedonase ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që ta anulojë këtë vendim, pasi që, sipas tyre, përveç që nuk e ka nënshkruar presidenti i shtetit, është në kundërshtim edhe me Kushtetutën. /Ballkani.info/