Nuk pajtohet me portugezin

Xavi thotë se nuk do të ishte trajner defensiv si Mourinho

Edhe pse e pranon se Jose Mourinho ka qenë i suksesshëm gjatë karrierës së tij, ish mesfushori i Barcelonës, Xavi thotë se nuk do të aplikonte taktikat e trajnerit portugez.

Nesër Barcelona pret në “Camp Nou”, Interin në sfidën e vlefshme për xhironë e tretë të grupeve në Champions League, ndeshje kjo që rikujton gjysmëfinalen e sezonit 2009-2010, në të cilën zikaltërit triumfuan 3-2 me rezultat të përgjithshëm.

Xavi e ka kritikuar lojën defansive të zbatuar nga “The Special One”, duke thënë se kur të pensionohet skuadrat që do të drejtojë nuk do të luajnë një lojë të tillë.

“Mourinho është një trajner shumë defansiv. Të luaje kundër Interit të tij nuk ishte e thjeshtë. Ky është stili i tij, të cilin e ka përdorur edhe te Chelsea e Real Madridi. Ai përkujdeset për çdo detaj, nuk lë asnjë hapësirë. Unë pëlqej një tjetër stil futbolli, dhe skuadrat e mija nuk do të luajnë në atë mënyrë”, tha Xavi për Corriere dello Sport.

Futbollisti aktual i Al Sadd pati vetëm fjalë pozitive për Pep Guardiolan, ndërsa tha se një ditë trajneri i Manchester Cityt mund të punojë në Itali.

Xavi tutje njoftoi se me shumë mundësi ky do të jetë sezoni i tij i fundit si lojtar aktiv.

“Me 99% të gjasave ky është sezoni im i fundit sepse kur i afroheni moshës 39 vjeçare normalisht që ndjeni lodhje. Nuk është ende koha për lamtumira por unë e di se çfarë do të bëjë pas pensionimit”, tregoi Xavi.