Neymar së fundmi është duke u lidhur me një rikthim te Barcelona, por ish mesfushori legjendar i katalanasve nuk beson se kjo gjë është e mundur.

Sulmuesi brazilian është duke e kaluar sezonin e tij të dytë në Ligue 1 me Paris Saint Germainin, teksa ka shënuar 13 gola në 16 paraqitje në të gjitha garat me fanellën e parisienëve.

26 vjeçari u raportua se gjatë pauzës për kombëtaret është takuar me këshilltarin e blerjeve te
Barcelona, Andre Cury, por fituesi 8 La Ligave dhe 4 Champions League me “Blaugranat”, Xavi Hernandez ka hedhur poshtë spekulimet e rikthimit të Neymarit në “Camp Nou”.

“Nuk shoh diçka të tillë. Lexoj shumë nëpër media sepse jam i lidhur me futbollin, por mendoj se 0 janë gjasat që Neymar të rikthehet te Barcelona”, nënvizoi Xavi.

Xavi lavdëroi yllin e PSG-së derisa shtoi se Neymar mund ta arrijë nivelin e Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos, por varet nga vet ai nëse synon të jetë i tillë.