Trajneri spanjoll

Xabi Alonso qëndron te Leverkusen, Bayerni dhe Liverpooli gati për planin B

30 fitore, 5 barazime dhe asnjë humbje këtë sezon, me Bundesligën që është thuajse e fituar me 10 pikë avantazh ndaj ndjekësve të vendit të dytë. Këto shifra e kanë bërë Xavi Alonson trajnerin më të dëshiruar nga klubet e mëdha të futbollit europian, por e ardhmja e ish-mesfushorit spanjoll do të jetë sërish te Bayer Leverkusen.

“Ka një kontratë deri në 2026 dhe po programojmë me të sezonin e ardhshëm, – garantoi për mediat spanjolle administratori i deleguar i Leverkusen Fernando Carro, duke ngrirë ambiciet e Bajernit të Mynihut dhe Liverpool teksa shtoi, – asgjë nuk na bën të mendojmë se nuk do të jetë ende me ne”.

Deklarata të rëndësishme dhe me sa duket jo për fasadë, pasi konfirmohen edhe nga Uli Hoenes për mediat gjermane me Presidentin e nderit të Bajernit të Mynihut, që u shpreh “të marrim Xabi Alonson? E shoh shumë të vështirë, për të mos thënë të pamundur. Besoj se do të qëndrojë te Leverkusen”.

Media në Gjermani shkruan se Bajerni ka ndryshuar objektiv duke synuar Roberto De Zerbin, por ka si alternativë edhe trajnerin aktual të Austrisë, Ralf Ragnick, që siç shkruan e përditshmja sportive gjermane Kicker do të pranonte me shumë dëshirë sapo të mbarojë Europiani.

Ndryshime kursi dhe për Liverpool që siç raportojnë media të rëndësishme si ESPN dhe Sky Sports UK, që citojnë burime pranë klubit, pasi ka marrë refuzimin e Xabi Alonso për trashëgiminë e Klopp, është gjithnjë e më pranë Ruben Armorim, trajnerit aktual të Sportingut të Lisbonës.