Wolfsburgu lutet që Mehmedi t’i ketë lënë pas lëndimet

Nëse Admir Mehmedi nuk do të lëndohej, ai do të ishte një prej lojtarëve më të rëndësishëm te skuadra e Wolfsburgut. Sipas trajnerit Oliver Glasner, Mehmedi është lojtar i momenteve të veçanta te Wolfsburgu, por lëndimet e shpeshta këtë edicion i kanë pamundësuar atij t’i dëshmojë vlerat.

Në fakt, trajneri Glasner mund të bazohet në sistemin e lojës 4-4-2 vetëm kur Mehmedi nuk është i lënduar, pasi ai mbetet i vetmi te Wolfsburgu që mund të aktivizohet si “dhjetëshe”, shkruan sot Koha Ditore.

Në ndeshjen e fundit, Mehmedi luajti dhe Wolfsburgu triumfoi 4:2 në udhëtim ndaj Paderbornit. Mehmedi në këtë takim ishte i pazëvendësueshëm dhe kjo ishte hera e parë këtë edicion që 28-vjeçari luajti për 90 minuta. Mehmedi deri më tash ka shënuar tre gola dhe ka bërë dy asistime në 14 paraqitje për Wolfsburgun në të gjitha garat, kurse për shkak të lëndimeve, i ka munguar ekipit në po aq ndeshje.