Axel Witsel e ka përshkruar vendimin për të iu bashkuar Borussia Dortmundit si më të mirin në karrierë me skuadrën e drejtuar nga Lucien Favre që është lider në Bundesliga.
Mesfushori belg ka pasur impakt të menjëhershëm te “milionerët” teksa ka nënshkruar kontratë 4 vjeçare me ta kur u transferua gjatë kësaj vere nga klubi kinez Tianjin Quanjian.
Witsel ka kompletuar 92.5% të pasimeve të tij në kampionatin gjerman dhe 29 vjeçari beson se e ka marrë vendimin e duhur kur iu bashkua Dortmundit.
“Transferimi te Dortmundi ka qenë vendimi më i mirë në karrierë për mua. Kurrë nuk kam luajtur me lojtarë më të mirë se këtu. Gjithashtu edhe vendi është shumë i përshtatshëm, unë dhe familja ime jemi afër vendlindjes”, tregoi Witsel.
Ish lojtari i Zenitit u paraqit mbrëmë për herë të 100-të me fanellën e Belgjikës në fitoren 2-0 ndaj Islandës, ndërsa të besuarit e Roberto Martinezit duhet ta shmangin humbjen në përballjen me Zvicrën të dielën për ta përfunduar grupin si lider në Nations League.







