Willian është i bindur se Eden Hazard dëshiron të vazhdojë te Chelsea, pavarësisht interesimit të Real Madridit për të.
Sulmuesi belg ka qenë i lidhur ngushtë me kalimin në kryeqytetin spanjoll gjatë vitit të kaluar dhe madje ka pranuar se ëndërron të luajë për “Los Blancos” një ditë, referuar një interviste të tetorit të vitit të kaluar.
Klubi nga “Santiago Bernabeu” e ka rikthyer në fokus Hazardin këtë javë, pas kthimit të Zinedine Zidane si trajner, duke vendosur kontaktin e parë me Chelsean, për të diskutuar disponueshmërinë e tij. Përpara sfidës së Europa League të së enjtes, kundër Dynamo Kiev, braziliani i “The Blues”, Willian, u pyet nëse është i shqetësuar për Hazardin, se mund ta lërë klubin këtë verë.
“Është një pyetje e vështirë. Para së gjithash, shpresoj që ai të qëndrojë me ne. Sidoqoftë, në futboll, kurrë nuk e di se çfarë mund të ndodhë. Natyrisht, Eden është një lojtar fantastik, një nga më të mirët në botë. Ai është miku im, një nga lojtarët më të mirë, me të cilin kam luajtur në karrierë.
Shpresoj të qëndrojë me ne. Kjo është e gjitha. Nuk ka dyshim se ai është i fokusuar këtu, dëshiron të luajë e të na ndihmojë të fitojmë diçka këtë sezon. Kurrë nuk na ka thënë diçka për Real Madridin, apo gjëra të tilla”.







