Wilder synon ta rikthejë titullin me trajnerin e ri

Deontay Wilder është në një situatë të re para takimit të tretë me Tyson Furyn.

Është hera e parë si boksier profesionist që hynë në një meç pas një disfate të pësuar.

Wilder nuk ishte mposhtur në 43 meçe para se ta humbte titullin WBC të peshave të rënda nga Fury në shkurt të vitit 2020.

35-vjeçari amerikan e ndërroi ekipin dhe trajnerin Mark Breland, i cili e nervozoi Wilderin duke e hedhur peshqirin e duke e përfunduar luftën para kohe.

Ai është zëvendësuar me trajnerin Malik Scott, boksierin të cilin Wilder e nokautoi në vitin 2014.

“Është diçka që është dashur ta bëj para shumë kohësh”, kishte thënë Wilder në një program televiziv para një muaji.

Breland 58-vjeçar ishte medalist i artë Olimpik dhe i Kampionatit Botëror si amator dhe më pas u bë kampion i peshave të lehta në WBA.

Përgjatë 12-vjetëve me të, Wilder e fitoi titullin e Botës në vitin 2015 dhe 10-të herë e mbrojti titullin para meçit të dytë me Furyn.

Trajneri i ri i Wilderit, Scott, është 40-vjeçar. Ai i ka 38 fitore nga 42 meçe por asnjëherë nuk ka luftuar për titull bote dhe pësoi tri disfata, përfshirë atë nga britaniku Derek Chisora dhe pas 96 sekondave kur u mposht nga Wilder në vitin 2014.