Wijnaldum i bindur në triumfin e Liverpoolit në Premier League

Mesfushori holandez i Liverpoolit, Georginio Wijnaldum, beson se ata do të ishin budallenj nëse nuk do të besonin se do të shpallen kampionë të Premierligës në fund të këtij sezoni, në maj, edhe pse e pranon se ende ka shumë ndeshje deri atëherë.

Liverpooli ka plot 29 vjet që nuk e ka fituar titullin e kampionit të Anglisë, mirëpo Jurgen Klopp mund të jetë trajneri që i jep fund kësaj pritjeje nëse arrin ta mbajë kreun e ligës deri në maj.

Skuadra e Jurgen Klopp, që e ka humbur vetëm një ndeshje këtë sezon, tani e mban një epërsi prej katër pikësh nga klubi në vend të dytë, Manchester City, që është edhe kampion në fuqi i Premierligës.

Përderisa Liverpooli e mban kreun e tabelës, Wijnaldum beson se do të ishte e marrë që futbollistët, trajneri e tifozët të mos besonin se do të shpallen kampioni në fund të sezonit.

“Mendoj se ne do të ishim budallenj nëse do themi: “’jo, nuk mendojmë se do ta fitojmë’. Nëse i pyesni njerëzit e Manchester Cityt se a do të jenë ata kampionët, ata do të thonë se po, do të shpallen kampionë”, ka thënë Wijnaldum.

“Është një shenjë e keqe nëse themi jo, por do ta shohim se çfarë do të ndodhë në fund të sezonit. Do ta japim maksimumin tonë, do të tentojmë ta fitojmë çdo ndeshje dhe do ta presim fundin e sezonit. Ka ende shumë kohë deri atëherë”.