Whyte, Usyk apo Joshua, kush është në radhë për Furyn?

Tyson Fury e vulosi statutin e tij si boksieri numër një në kategorinë e rëndë në botë, në mënyrë të theksuar të shtunën mbrëma në Las Vegas.

Fury e mbrojti titullin e botës WBC në kategorinë e rëndë me një paraqitje mahnitëse, duke e nokautuar Wilderin në rundin e 11-të në një luftë të paparë.

Edhe vetë boksieri britanik e puthi dyshemenë dy herë, që të dyja në rundin e katërt, por tregoi përsëri forcë magjike për t’u riaftësuar dhe për ta rimarrë veten në kohë për ta arritur triumfin madhështor.

Lufta e tretë Fury – Wilder do të mbahet në mend pa dyshim si njëra prej luftërave më të mira në historinë e boksit.

“Besoj se unë mund ta mposht çdo njeri në histori”, ishte gjykimi i Furyt pas meçit, dhe është e vështirë ta besosh se dikush do të mundë ta rrihte Gypsy Kingun atë mbrëmje, pas një paraqitjeje tjetër mbresëlënëse e bërë nga guximi dhe lavdia e kampionit të WBC-së.

Pasi përfundimisht i mbylli derën në trilogjinë me Wilderin, pyetja që tani ngrihet është se kush është në radhë për Furyn?

33-vjeçari nga Britania e Madhe nuk deshi t’i zbulojë planet e tij në konferencën për media pas meçit, duke mos pranuar të tregojë se me kë do të përballet në luftën e radhës.

“Para se të filloj të mendoj për boksierët e tjerë, do ta shijoj fitoren time”, tha Fury. Bashkëpromotorët e tij, Bob Arum dhe Frank Warren, ishin po aq të kujdesshëm të mos thoshin shumë.

Fury ka mundësi të mundshme të zgjedhë kundërshtarin e radhës.

Ai mund ta kërkojë një luftë kundër Oleksandr Usyk për kampionin e padiskutueshëm të botës, apo të presë dhe të shikojë se si do të shkojë rimeçi i kampionit të botës në WBO, WBA dhe IBF kundër Anthony Joshuas.

Fury do të urdhërohet të luftojë me fituesin e meçit Dillin Whyte dhe Otto Wallin, të cilët përballen në fund të këtij muaji, nëse nuk aranzhon një meç për kampionin e padiskutueshëm të botës.

Por lufta e radhës e Fury do të jetë mbrojtja e titullit, sipas të gjitha gjasave.