West Hami ia shkakton Liverpoolit humbjen e parë dhe e kalon në renditjen e Premierligës

West Hami e ka mposhtur 3:2 Liverpoolin në një ndeshje zbavitëse të dielën, duke ia shkaktuar disfatën e parë këtë sezon në Premierligë skuadrës së Jurgen Kloppit dhe duke e kaluar atë në vendin e tretë në tabelë.

Pablo Fornals dhe Kurt Zouma, të ndihmuar nga një autogol i Alissonit, ia siguruar skuadrës së David Moyes tri pikët në Stadiumin Olimpik në Londrën lindore, pasi golat nga Trent Alexander-Arnold dhe Divock Origi s’iu mjaftuan të kuqve.

Kjo ishte fitorja e gjashtë e West Hamit në ligë dhe e dërgon atë në vendin e tretë në tabelën e Premierligës me 23 pikë, aq sa ka Manchester City, një më shumë se Liverpooli dhe tri më pak se lideri, Chelsea.

Kjo ishte humbja e parë e Liverpoolit pas shtatë muajve dhe 25 ndeshjeve.

Liverpooli e kuptoi që nuk ishte nata e tij menjëherë pasi filloi takimi, pasi portieri Alisson shënoi në portën e vet në minutën e 4-të në përpjekje për ta larguar një top të hakuar nga këndi.

Alexander-Arnold shënoi gol të mrekullueshëm në minutën e 41-të për ta barazuar rezultatin 1:1 për Liverpooli, megjithëse vendasit po luanin më mirë.

Fornals e ktheu epërsinë e West Hamit në minutën e 67-të, kur i iku mbrojtjes së vizitorëve për ta mposhtur Alissonin me një goditje brenda zonës.

Zouma e dyfishoi epërsinë e vendasve kur shënoi me kokë nga afërsia, pas një rivënie këndore.

Origi, i futur në lojë në minutën e 76-të në vend të Diogo Jotas, i dha një fije shprese të kuqve duke shënuar gol të bukur me kthim në minutën e 83-të.

Por çekanët e Moyes ia dolën ta mbahen mirë në minutat e fundit dhe arritën t’ia shkaktojnë disfatën e parë në ligë Liverpoolit dhe ta kalojnë atë në renditje.