Sulmuesi gjerman

Werner nuk e fsheh interesimin lidhur me një kalim te Bayerni

Leipzigu mund ta humbet yllin kryesor të ekipit pasi që Timo Werner e ka bërë të qartë se është i interesuar për një kalim te kampioni i Gjermanisë, Bayerni.

Sulmuesit gjerman i skadon kontrata me Lepzigun në vitin 2020, ndërsa skuadra e drejtuar nga Ralf Ragnick mund ta shes lojtarin verën e ardhshme në mënyrë që të mos e lejojë largimin e 22 vjeçarit si transferim i lirë pas një viti.

Gazeta gjermane “Bild” gjatë kësaj jave ka raportuar se bavarezët kryesojnë garën për të siguruar shërbimet e Wernerit, i cili pas humbjes së mbrëmshme në “Allianz Arena”, tregoi se do të largohej nga Leipzigu vetëm për Bayernin.

“Nuk kam presion të kohës. Mund të mendoj për këtë gjë i qetë dhe të vendos pas Vitit të Ri. Nëse luani për Leipzigun dhe dëshironi të mbeteni në Gjermani, është vetëm një klub ku mund të transferoheni. Sigurisht se vazhdimi me Leipzigun është një opsion, por ka edhe klube tjera që janë të interesuara”, zbuloi Werner.

Edhe trajneri i Bayernit, Niko Kovac kishte fjalë pozitive për sulmuesin e Leipzigut duke e cilësuar si një lojtar fantastik që është përmirësuar shumë gjatë viteve të fundit, ndërsa refuzoi të konfirmojë nëse do të ketë ndonjë tentim për ta transferuar gjatë janarit apo verës së ardhshme.