Werderi mund ta mbajë Rashicën nëse nuk merr ofertën e duhur

Te Werder Bremeni pranojnë se Milot Rashica pritet të largohet gjatë këtij afati kalimtar, por nuk përjashtojnë mundësinë që sulmuesi kosovar të mbetet në ekip edhe për sezonin 2020/21 nëse nuk marrin ofertën e duhur.

Kështu ka insistuar trajneri i Werderit, Frank Baumann, që ka folur të enjten për mediumet gjermane. Rashica ka kërkuar largimin nga Werderi por klubi po insiston në kërkesën prej 25 milionë eurosh për ta lënë të lirë.

Deri më tash skuadra e vetme që ka bërë ofertë zyrtare për Rashicën është RB Leipzigu që ka ofruar 20 milionë euro, ofertë që është refuzuar nga Werderi.

“Ne e kemi parasysh se Miloti është një lojtar interesant për tregun e futbollit dhe shumë klube janë të interesuara për të. Madje ka ekipe që flasin me lojtarin por jo edhe me klubin. Ne shpresojmë në një ofertë më të mirë për Rashicën që të mund të largohet, në të kundërtën mbetet në ekip”, është shprehur Bauman.

Rashica 23-vjeçar, ka kontratë me Werderin deri në vitin 2022 kurse krahas RB Leipzigut është raportuar se interesim për shërbimet e tij kanë treguar edhe Napoli, Leedsi, Aston Villa e Brightoni.

Rashica nuk është grumbulluar për ndeshjen në fundjavë të Werderit, për të shmangur rrezikun për një lëndim më të rëndë të tij. Ai u lëndua lehtë në ndeshjen e Kosovës ndaj Moldavisë.