Gennaro Gattuso ishte në presion pas humbjes në derbi ndaj Interit, por Arsene Wenger i ka hedhur poshtë raportimet që e bëjnë trajnerin francez pasues të italianit në stolin e Milanit.
69 vjeçari është pa punë prej se u largua nga drejtimi i Arsenalit në përfundim të sezonit të kaluar, duke i dhënë fund epokës 22 vjeçare te londinezët.
Tekniku francez është lidhur vazhdimisht kohëve të fundit me emërimin trajner te Milani, por vet Wenger i ka quajtuar këto spekulime si lajme të rreme.
“Gjëja e vetme që mund të them është se këto janë lajme të rreme. Nuk mund të merrem me spekulime, unë merrem vetëm me jetën time”, u shpreh Wenger për beIN Sports.
Së fundmi Wenger kishte thënë në një intervistë për Sky Sports se do të rikthehet në menaxhimin e ndonjë skuadre në fillim të vitit të ardhshëm, duke mos zbuluar në cilin klub, por e përjashtoi mundësinë të jetë në Premier League.







