Wenger konfirmon se nuk e ka kontaktuar askush nga Bayerni

Arsene Wenger është përmendur shpesh në ditën e fundit si pasuesi i mundshëm i Niko Kovacit në stolin e Bayernit, pasi kroati e mbylli aventurën e tij me bavarezët një javë më parë për shkak të disfatës së rëndë 5-1 kundër Eintracht Frankfurtit.

Është spekuluar shumë në lidhje me teknikun e ardhshëm, u përfol edhe për një mungesë dëshire nga ana e drejtuesve gjermanë, që, kryesisht, lidhej me moshën e Wengerit, i cili aktualisht është 70 vjeç. Trajneri, që drejtoi për 22 vite Arsenalin, hodhi dritë mbi kontaktet dhe vullnetin e tij për të drejtuar apo jo kampionët e Gjermanisë

“Nuk i kam refuzuar asnjëherë bisedimet me Bayernin, sepse në klub ka disa persona të cilët i njoh prej 30 vitesh, madje shumë kohë më parë kam qenë pranë stolit të Bayernit, megjithatë për momentin nuk kam pasur asnjë kontakt me klubin gjerman.”

Trajneri nga Strasburgu foli gjithashtu edhe në lidhje me nostalgjinë për të drejtuar një skuadër futbolli.

“Tani dua të bëj atë që më pëlqen dhe nuk kam vendosur nëse do të kthehem apo jo në futbollin aktiv, jam i lumtur me jetën që po bëj, por pa diskutim që më mungon futbolli. Për momentin, nuk e di as vetë nëse dua apo jo të kthehem.”

loading…