Wenger do t’i rikthehet futbollit në vitin 2019

Ish trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger teka zbuloi se vitin e ardhshëm do të rikthehet të menaxhojë një skuadër, përjashtoi mundësinë që ky klub të jetë nga Premier League.

69 vjeçari u largua në fund të sezonit të kaluar nga drejtimi i “The Gunners”, për t’i dhënë fund aventurës prej 22 vitesh në Londër.

Wenger ka qenë i lidhur edhe me një kalim te Real Madridi që ditë më parë shkarkoi Julen Lopeteguin, por tani që francezi tregoi se do të vazhdojë me pushime deri në vitin 2019, zvogëlohen gjasat për ta parë atë në stolin e “Los Blancos”.

“Sigurisht se do të rikthehem në vitin 2019. Për momentin po kaloj një periudhë pushimi, ndërsa shoh edhe shumë futboll. E kam thënë shumë herë se të kthehem në Angli nuk është ide e mirë për shkak se kam qenë për një kohë te gjatë në një klub. Tani nuk mund të iu them se në cilën skuadër do të emërohem trajner sepse nuk e di as unë. Nuk e kam vendosur ende nëse do të jetë klub apo kombëtare”, u shpreh Wenger për Sky Sports.

Wenger gjatë periudhës së kaluar te Arsenali fitoi gjithsej 17 trofe, mes të cilëve edhe 3 Premier League, ndërsa në sezonin 2003-2004 e përmbylli sezonin në Premier League pa asnjë humbje.