VV për Zemajn: U takua me shefin e zyrës së OBSH’së në Serbi, ndërsa thotë se ka takuar koordinatorin për rajonin

Kreshnik Ahmeti, ish-këshilltar i ish-ministrit Glauk Konjufca, ka reaguar ndaj ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj për takimin e djeshëm që zhvilloi me shefin e zyrës së OBSH-së në Serbi, Marijan Ivanusa.

Ahmeti përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se ministri Zemaj tentoi ta kamuflojë këtë takim duke thënë se ka takuar koordinatorin e OBSh-së për Ballkanin dhe Moldavinë.

“OBSh ka zyrën e saj në Kosovë dhe pritja e Ivanusa-s dje ka qenë jo vetëm e panevojshme, por edhe e dëmshme. Me këtë pritje, Zemaj dhe Qeveria në të cilën ai bën pjesë, kanë njohur autoritetin e zyrës së OBSh-së në Serbi, përmbi shtetin e Kosovës”, ka shkruar Ahmeti.

Ministri i Shëndetësisë dhe zyrtarë nga OBSh-ja flasin për çështjen e sigurimit të vaksinave kundër COVID-19

Postimi i plotë:

Dje Ministri Zemaj paska pritur në takim shefin e zyrës së OBSh-së në Serbi, Marijan Ivanusa. Këtë takim paska tentuar ta kamuflojë duke thënë se ka takuar koordinatorin e OBSh-së për Ballkanin dhe Moldavinë.

OBSh ka zyrën e saj në Kosovë dhe pritja e Ivanusa-s dje ka qenë jo vetëm e panevojshme, por edhe e dëmshme. Me këtë pritje, Zemaj dhe Qeveria në të cilën ai bën pjesë, kanë njohur autoritetin e zyrës së OBSh-së në Serbi, përmbi shtetin e Kosovës. Në raste të tilla, edhe pse nuk jemi anëtar të OBSh-së, komunikimin duhet ta mbajmë nëpërmjet zyrës së saj në Prishtinë, e jo asaj në Beograd.

Një Qeveri e cila suspendon përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare si shtet i pavarur, sigurisht se do të përfundojë duke synuar integrimin dhe bashkëpunimin me këto organizata nëpërmjet Serbisë.