VV: Kushti për koalicion me LDK-në është që Albin Kurti të jetë kandidat për kryeministër

Deputeti i VV-së, Xhelal Sveçla, ka thënë se qëllimi i bashkëpunimit me LDK-në është që të rrëzojnë këto parti e të mos vijnë më në pushtet.

“Dallimet që i kemi me LDK-në nuk mund të fshihen. Por, qëllimi i bashkëpunimit me LDK-në është që sa më shpejtë ta rrëzojmë këtë qeveri dhe po ashtu të ndikojmë në punën e Kuvendit që të sjellë ligje sa më të mira dhe të mbikëqyrim ekzekutivin përmes mekanizmave të Kuvendit. Tani me LDK-në po synojmë të bëjmë çkapjen e shtetit. Është fakt se ky shtet tash s’është i kapur prej LDK-së, por ‘Zajednica’ tash ka rënë, dhe këto më s’janë tema kyçe. Duhet të ndalim të këqijat, siç janë aventurat e presidentit me Serbinë, të ndalim humbjen e territorit e të ndalim degradimet”, u shpreh Sveçla në një intervistë për Interaktiv të KTV-së.

“Përderisa po pajtohemi me LDK-në që ndodhemi në këtë situatë dhe ky proces na çon tej kësaj situate, po vazhdojmë bashkëpunimin. Sikur ne do të mund të fitonim të vetëm, do të vazhdonim rrugëtimin të vetëm, por kjo është e pamundshme. Aleati më i përshtatshëm në rrethanat aktuale është LDK-ja”, theksoi deputeti i VV-së.

Ai tha se me LDK-në nuk janë duke bërë pazare, “por po bisedojmë se çfarë të bëjmë për korrupsionin e për shumë procese negative që kjo qeveri e ka futur Kosovën”.

Sveçla foli edhe për mundësinë e hyrjes në një listë të përbashkët me LDK-në në zgjedhjet e ardhshme, gjë e cila tha ai se ua siguron fitoren absolute.

“Lista e përbashkët është garancë e fitores absolute, por kushti është që Albin Kurti të jetë kandidat për kryeministër si personi më i votuar në zgjedhjet e fundit”, tha ai.

Ai tha se janë në pritje të përfundimit të procesit të brendshëm zgjedhor të LDK-së që të marrin qëndrimin e tyre në lidhje me mundësinë e një liste të përbashkët dhe për kandidimin e Kurtit për kryeministër të kësaj liste.

“Po presim të përfundojë procesi i tyre (LDK) i brendshëm zgjedhor. Është legjitime që edhe ata të kërkojnë që kryeministri të jetë i LDK-së, por do të jetë forca e argumentit që do të bind secilin se kush do të jetë kandidat. Por, VV është e gatshme të kandidojë edhe e vetme. Jemi të bindur se me mbështetjen e diasporës do të dalim të parët. Nuk do të dëshironim që forcat e njëjta të vazhdojnë qeverisjen”, theksoi deputeti Xhelal Sveçla.

Ai foli pak edhe për ndarjen që ka ndodhur në VV, të cilën ai nuk e quajti ndarje por tha se nga partia nga e cila vjen ai “kanë dalë një dyzinë aktivistësh dhe disa deputetë”.

loading…