VV-ja u mundua ta “pajtojë” LDK-në, i ofron 1 ministri si kompensim për postin e kryeparlamentarit

Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja, gjegjësisht krerët e tyre nuk janë takuar as sot për të diskutuar rreth mundësisë për formimin e koalicionit qeverisës.

Në vend të kësaj këto dy parti kanë thumbuar njëra-tjetrën përmes deklaratave, duke u munduar ta heqin fajin nga vetja për vonesën që po shkaktojnë në bërjen e qeverisë së re.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, pas takimit që zhvilloi sot me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett, deklaroi se zgjidhjen e jep VV-ja e jo partia e tij.

Kurse Albulena Haxhiu nga VV deklaroi sot se edhe përkundër vullnetit të tyre, s’kanë arritur ende marrëveshje me LDK-në, kurse Kurtid je deklaroi se i kanë bërë dy oferta të reja LDK-së dhe presin nga kjo parti t’i mbledh organet drejtuese dhe ta thotë fjalën e saj.

Gazeta Online “Reporteri.net” mëson nga burimet brenda LDK-së se bisedimet janë bërë “lëmsh” për shkak se asnjëra prej partive nuk po lëshon pe sa i përket pozitave.

VV në takimin e fundit i ka bërë ofertë LDK-së që t’ia japë edhe një ministri më shumë, konkretisht Ministrinë e Punëve të Jashtme, si kompensim për pozitën e Kryeparlamentarit të cilën e mban tash VV, konkretisht Glauk Konjufca i cili u zgjodh falë votave të LDK-së.
Por oferta e VV-së është që LDK më pas t’ia kthej Ministrinë e Punëve të Jashtme e cila i është premtuar Blerim Rekës, pasi që partia e Isa Mustafës ta marrë postin e presidentit.

Por LDK-ja ka refuzuar këtë ofertë të VV-së, pasi partia e Isa Mustafës po këmbëngul që ta marrë pozitën e kryekuvendarit, siç ishin dakorduar në fillim partitë, por që për partinë e Kurtit tashmë pozita e kryekuvandarit është kryer.

Burimi i Reporteri.net ka thënë më tej se ofertën e VV-së ka mbetur ta shqyrtojnë organet drejtuesese të LDK-së, por se nuk është caktuar ende një date se kur do të mbahet takimi.