VV-ja nis fushatën në rrjetet sociale për ta portretizuar Isa Mustafën dhe LDK-në si vegla të Thaçit

Lëvizja Vetëvendosje e ka nisur një fushatë me anë të së cilës tentohet që të portretizohet kreu i LDK’së, Isa Mustafa si vegël e presidentit të vendit, Hashim Thaçit.

Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e LVV’së, Arbërie Nagavci ka shkruar në Facebook se kreu i LDK’së sot e ka dëshmuar se do të jetë në shërbim të presidentit Hashim Thaçi.

“Presidenti Thaçi në mbrëmjen e dt.19 prill: “Tarifat dhe reciprociteti duhet të bien” ( të hiqen).

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa me dt.20 prill: “ Nëse LDK-ja do ta drejtonte një Qeveri, hapi i parë do të ishte heqja e reciprocitetit”, ka shkruar ajo.

“Mozaiku po plotësohet, Thaçi vetëm se e rikonfirmoi të vërtetën e rrëzimit të Qeverisë Kurti nëpërmjet të shumicës së deputetëve të LDK-së. Qëllimi ishte dhe mbetet formimi i një qeverie antikushtetuese, për ta larguar vendin nga parimi i reciprocitetit me Serbinë,e për t’i hapur rrugë pastaj dhe nënshkrimit të marrëveshjes me Serbinë. Ky është një skenar që e kemi parë tashmë”, deklaroi e njejta.

Nagavci ka shkruar se 7 vite më parë,  Thaçi e kishte nënshkruar një marrëveshje shumë të dëmshme për vendin.

“ Me Marrëveshjen e parë të parimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Thaçi e Daçiq vendosën parimet dhe bazën e asaj që me vonë do të quhej “Zajednica” (marrëveshja Mustafa me Vuçiqin në vitin 2015)”, tha e njejta.