VV-ja heziton, por PDK-ja me 5% më shumë se LDK-ja në vitin 2014 ua kishte dhënë edhe postin e kryeministrit

Lidhja Demokratike e Kosovës, me një diferencë shumë më të madhe me Partinë Demokratike të Kosovës në vitin 2014, e cila ishte fituese e zgjedhjeve, kishte arritur të marrë edhe postin e kryeministrit, përveçse ndarjes së barabartë të dikasterëve qeveritare.

Kurse, tash, përkundër që me Lëvizjen Vetëvendosje e ka një diferencë shumë të vogël, përveçse nuk ka afrim, kompromisi politik duket që është ende larg.

Në vitin 2014, PDK-ja e udhëhequr nga Hashim Thaçi kishte fituar 30.38 për qind ose gjithsej 222.181 vota, kurse LDK-ja 25.24 për qind ose 184.594 vota dhe tërë pushtetin e kishin ndarë në mënyrë të barabartë, shkruan Ballkani.info.

Pas bllokadës disamujore, për arritjen e koalicionit qeveritar, Hashim Thaçi si fitues i zgjedhjeve kishte lëshuar rrugë, duke ia dhënë LDK-së postin e kryeministrit dhe duke ndarë të gjithë resorët qeveritare me formulën 50 me 50.

Thaçi pas më shumë se 1 viti si zëvendëskryeministër dhe ministër i jashtëm, kishte lënë karrierën partiake për t’u bërë president. Kurse, tash, Lëvizja Vetëvendosje ndonëse ka fituar vetëm 26,27 për qind ose gjithsej 221.001 vota, kurse LDK-ja gjithsej 24.54 për qind ose 206.516 vota, pra kanë rreth 1 për qind diferencë, arritja e kompromisit për ndarje të barabartë duket së është shumë më e vështirë.

Vlen të theksohet se në vitin 2014, dy protagonistët e tashëm kryesorë, Kurti dhe Mustafa, e kishin bllokuar Thaçin si fitues të zgjedhjeve, duke bërë përpjekje për t’ia pamundësuar rizgjedhjen si kryeministër.

Kurse, tash, vetë Kurti si fitues i zgjedhjeve po argumenton krejtësisht ndryshe, duke thënë që vullneti i qytetarëve që kanë votuar për të nuk mund të tjetërsohet. /Ballkani.info/